
Deputetë nga Shqipëria e Kosova janë bërë së bashku në Tiranë, në një tryezë të përbashkët të Kryetarëve të Komisioneve Parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Qëllimi i këtij bashkimi është mbajtja e tryezës së kryetarëve të komisioneve parlamentare të dy legjislativeve të shteteve përkatëse.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla në fjalën e saj përshëndetëse për tryezën tha se, “kjo tryezë është një kantier pune i të zgjedhurve të kombit shqiptar, për të diskutuar për t’u shërbyer më mirë bashkëkombësve e qytetarëve tanë, kudo ku ndodhen. Është koha të intensifikojmë, shumëfishojmë kontaktet dhe zgjerojmë bashkëpunimin vëllazëror midis dy Kuvendeve tona”.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, duke shprehur edhe mendimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, rikonfirmoi mbështetjen politike të të dy kuvendeve për vazhdimin e takimeve dhe të tryezave si edhe burimet e nevojshme financiare.
Kosova u përfaqësua nga 13 deputetë dhe zyrtarë të tjerë nga stafi zyrtar i Kuvendit të Kosovës, gjatë së cilës do të punohet në bashkëpunimin e ndërsjellë mes komisioneve gjegjëse të të dy vendeve.
Diskutimet u përqendruan në bashkëpunimin për përafrimin e legjislacionit të të dy vendeve me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe zbatimin nga Kuvendi i Kosovës të përvojave pozitive të Kuvendit të Shqipërisë, përafrimin e legjislacionit në fushën e ekonomisë, financave publike, investimeve, shkëmbimeve tregtare, sigurisë, mbrojtjes, arsimit, kërkimit shkencor, kulturës, medies, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, bashkëpunimit me diasporën, mbështetjes së veprimtarive prodhuese e sipërmarrjes private, administratës publike, bujqësisë e zhvillimit rural, mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm, infrastrukturës dhe transportit, energjisë, qeverisjes vendore etj.



