Kryedemokrati në detyrë dhe kandidati për kreun e PD, Lulzim Basha zhvilloi sot takime me demokratët në zonën e Kombinatit, Unazës së Re në Tiranë si dhe të Shijakut në kuadër të zgjedhjeve për kreun e partisë.
Basha u shpreh se 25 prilli ka hyrë në histori si masakra më e madhe zgjedhore. Ai tha se më 25 prill bandat morën peng demokracinë dhe sipas tij socialistët dolën nga ky proces të kapur deri në rrënjë.
“Me 25 prill përkohësisht ka rënë demokracia, ka rënë demokracia dhe këtë duhet ta themi me gojën plot sepse demokraci nuk është një koncept abstrakt, por është vullneti i shumicës. 25 prilli nuk është dita ku shumica vendosi, por është dita kur përdhunshëm mekanizmat e Edi Rames e Erion Veliajt dhe bandave dhe ologarkëve të tyre morën peng këtë vullnet, moren peng zhvillimin, morën peng ëndrrën pë ndryshim”.
Ndërsa nënvizoi se PD ishte e “vetëdijshme për pabarazinë e betejës” së 25 prillit, Basha tha se disa javë pas zgjedhjeve, mazhoranca “është hedhur me një makineri te sofistikuar propagande në agresion sërish ndaj Partisë Demokratike”.
Basha foli dhe garën brenda PD-së të cilën e cilësoi si provë ndaj vlerave.
“Sot në kushtet e një gare të brendshme, një garë e cila është një tjetër provë e vlerave tona, e vlerave të demokracisë, e vlerave të respektit për konkurencën, për debatin. Të gjithë duhet të jemi krenar me këto vlera dhe ky është një avantazh i padiskutueshëm për të cilin nuk duhet të fshihemi por duhet ta shpalosim para shqiptarve si një garanci më shumë, sepse jemi të gatshëm dhe gati për të administruar daljen nga kriza dhe për të përmbushur aspiratat e tyre për ndryshim. Disavantazhi qëndron në faktin se dorëzimi përballë atyre që 25 Prillin nuk e konsiderojnë masakër zgjedhore por një fitore të Edi Ramës, mund të mbjellë një tjetër farë përçarje në gjirin e një familje që ka dalë e bashkuar nga kjo betejë”.
Nxitimi i ndokujt, tha Basha nuk mund të përbëjë arsye për të fundosur sakrificën e secilit.
Ndërkohë nga ana tjetër Basha tha se qarku i Durrësit në tërësi ka pasur dy veçori.
“E para ka qenë fakti që kemi ardhur nga zgjedhjet e vitit 2017, po kështu të zhvilluara në kushtet e shkeljes sitematike të kodit zgjedhor, të blerjes sistematike të votave, por në rastin e Durrësit u kapën. Nuk u kapën si në rastin e Dibrës për shkak të informacioneve të brendshme që çuan pastaj në dosjen 184, po u kapën nga përgjimet nga operaionet e anti-narkotikës, shefat e narkotikës duke fol me shefat e qeverisë”.



