Partia Demokratike përcolli të premten denoncimin e familjes Kokomani në fshatin Hardhishtë të Shijakut, e cila mbetet ende pa zgjidhje për situatën që krijoi tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Sali Kokomani i tha zyrtarit të PD-së, Dorian Teliti se nuk ka marrë asnjë ndihmë nga shteti ndërkohë që asnjë komision nuk ia ka vlerësuar me procesverbale shtëpinë edhe pse dëmtimet e saj janë të dukshme. Kokomani shprehet se njësoj si familja e tij, në fshatin Gjepal ka edhe raste të tjera.
“Marr shkas që e bëj këtë denoncim për dëmtimet e tërmetit se në kohën kur ra tërmeti erdhën disa komisione. Edhe vetëm erdhën atë ditë edhe thanë ka më keq se kjo. Por fakti që është, shikoje. Të paktën të kishin dhënë një 2 milionë lekë ose 5 milionë lekë për të bërë riparime, nuk themi që ta shembin,” shprehet Kokomani.
Prej një muaji opozita denoncon raste të ndryshme familjesh të mbetura pa zgjidhje nga situata që la pas tërmeti i 26 nëntorit, i cili u mori jetën 51 personave.
Rastet e sjella nga PD-ja kanë qenë nga Thumana, Durrësi, Shijaku, Kurbini, Mamurrasi, Bubqi, Lezha dhe Tirana.



