Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve, të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Twitter, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken i cili ka theksuar se SHBA-të e mirëpresin dhe e mbështesin këtë marrëveshje.
Shtetet e Bashkuara mirëpresin marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE-ja që Kosova dhe Serbia arritën dje. Ne jemi krenarë që mbështesim marrëveshjen dhe mbetemi të përkushtuar për avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik.
Sipas Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken kjo marrëveshje është hap kyç drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ne përgëzojmë Presidentin e Serbisë dhe Kryeministrin e Kosovës për lidershipin e tyre në arritjen e kësaj marrëveshjeje. Përmbushja e detyrimeve të Kosovës dhe Serbisë sipas Marrëveshjes Themelore, si pjesë e përkushtimit të qëndrueshëm për pajtim, do të sigurojë mundësi të rëndësishme për njerëzit e të dy vendeve dhe do të përshpejtojë rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Sipas një artikulli të publikuar nga korrespodentja e Shtëpisë së Bardhë, Ksenija Pavlovic McAteer, Blinken citohet të ketë deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të mbeten të angazhuara në mënyrë aktive në koordinim me partnerët e BE-së, për të mbështetur Serbinë dhe Kosovën në funksionimin e zbatimit drejt një marrëdhënieje “të parashikueshme dhe paqësore”.
Kujtojmë se pas një takimi gati dymbëdhjetë orësh në Ohër të shtunën, Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord për një aneks zbatues të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Aty thuhet se Kosova dhe Serbia pranojnë se çdo mosrespektim i detyrimeve të tyre nga marrëveshja, kjo aneks ose marrëveshjet e kaluara të dialogut mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.



