
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka komentuar protestat e qytetarëve që nisën fillimisht kundër një projekti resorti në Zvërnec dhe më pas u zgjeruan me kërkesa të tjera, përfshirë edhe thirrje për dorëheqjen e tij.
Në deklaratën e tij, ai e trajtoi situatën si një formë “zhurme politike” dhe përdori një metaforë me Odiseun dhe sirenat për të argumentuar qëndrimin e tij mbi drejtimin e qeverisë.
Ai tha se nuk ndërtohet një shtet nëse qeveria ose grupi i saj udhëheqës merr drejtim nga era që fryn dhe nuk e çon deri në fund misionin e tij.
Më shumë njerëz po ftillohen dhe është diçka që nuk rri as në tokë e as në qiell. Nuk pranon asnjë shqiptar që Tirana të bëhet një territor sfilate për një turmë që shkon të bllokojë aeroportin.
Nuk e pranon dot më këtë dhe natyrisht vërehet tërheqja, pak nga pak, e atyre që shkuan atje për të dalë në skenë, dhe mbetja e një grupi që ka një përzierje të hatashme, siç thonë këta ‘patriotët ndërkombëtarë’.
Ulërijnë të mblidhet këtu kombi, ndërkohë që njerëzit që funksionojnë me arsye dhe ata të bankave, të mirëpaguar, e kuptojnë fare mirë që këtu ka diçka që nuk shkon fare. Nuk i kam dhënë përgjigje kujt, por kur ka momente të tilla kam shumë kënaqësi të kujtoj kur Odiseu afrohet pranë sirenave dhe refuzon të mos i dëgjojë; përkundrazi, ai insiston t’i dëgjojë, sepse vetëm ai që i dëgjon kupton se sa i madh është tundimi.
Por lidhet shumë fort pas anijes, jo se s’ka besim te vetja, por sepse nuk e negocion destinacionin dhe nuk lejon që vetja, në një moment, ta hedhë në ujë. Ai lidhet me litarë, sepse e di që çdo gjë mund të ndodhë, por qëllimi është ajo që e ka çuar deri aty dhe ajo që e çon deri në fund.
Mendoj se kjo e Odiseut është metafora më e madhe e qeverisjes, e cila duhet të dëgjojë kritikën dhe zemërimin, por nuk mund ta skualifikojë veten duke ia hedhur gjithë fajin ‘algoritmit’. Nuk është ky rasti. Por ka një gjë që një qeveri nuk mund ta bëjë kurrë nëse është aty me një destinacion: një qeveri nuk e dorëzon kurrë timonin nga zhurmat.
Një grup udhëheqës nuk i jepet zhurmës dhe sa më shumë zmadhohet zhurma, aq më shumë ai grup forcon identitetin e vet duke bashkuar të gjithë në emër të destinacionit. Nuk ndërtohet një shtet si ai që ne po ndërtojmë dhe nuk çohet deri në fund një mision si ky që na ka rënë ne ta mbartim, duke e bërë Shqipërinë pjesë të BE-së, nëse qeveria ose grupi i saj udhëheqës merr drejtim nga era që fryn dhe sugjestionohet nga zhurmat, sirenat dhe dallgët. Me çdo çmim, një grup udhëheqës që ka një mision shkon deri në fund.



