I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, në vizitën e tij të parë në Kosovë ka thënë se qëllimi tij është që të shtyjë përpara procesin e dialogut.
Ai para mediave pas takimit me kryeministrin Albin Kurtin, tha se ishte një fillim i mirë.
Ishte një takim prezantues dhe ne biseduam sesi procesi mund të vazhdojë dhe të lëvizim përpara, dhe si i tillë ishte një fillim i mirë. Qëllimi ynë është që procesi të vazhdoj dhe të lëvizim përpara.
Sorensen theksoi se pas Kosovës do të shkoj edhe në Beograd. I pyetur nga gazetarët se a mund të ketë kompromise, ai tha se kjo caktohet nga palët.
“Dialogu është që të pajtohemi dhe kompromiset do të caktohen nga palët. Ky është dialogu dhe këtë e kemi bërë që nga viti 2011”, tha Sorensen.
Emisari i BE-së u pyet edhe për mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë, respektivisht qendrave për punë sociale dhe postës. Ai tha se duhet punuar që njerëzve tu sigurohet shërbim i mirë.
Edhe presidentja e vendit Vjosa Osmani mëngjesin e sotëm ka pritur në takim përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen,
Pas këtij takimi, përmes një shkrimi në rrjete sociale, Osmani ka thënë se përveç dialogut, me Sorensenin kanë diskutuar edhe për sigurinë në rajon, si dhe integrimin evropian të Kosovës.
Po ashtu, Osmani thekson se në këtë takim ia ka bërë të qartë Sorensenit se Kosova meriton trajtim të barabartë në procesin e dialogut dhe në rrugën drejt BE-së.
Sorensen ende nuk e ka ndërmjetësuar ndonjë takim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, por ka punuar kohëve të fundit për mënyrat për ta çuar përpara dialogun, duke takuar ndaras zyrtarë nga të dyja vendet.
Ai e mori detyrën më 1 shkurt, duke e pasuar Mirosllav Lajçakun.



