
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot publikoi listën e qendrave të votimit dhe lokacionet e tyre për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në katër komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok si dhe për zgjedhjet e parakohshme për dy kuvendet komunale Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill 2023.
Sipas KQZ-së 13 prej qendrave të votimit do të jenë në kontejner, kontejner të cilët do të vendosen anash rrugëve në të shumtën e rasteve.
Numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19 me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime.
Lista e qendrave të votimit është përgatitur në bashkëpunim dhe koordinim me organet e sigurisë.

Zgjedhjet për katër kryetarë komunash veriore të Kosovës dhe dy asamble komunale do të duhej të mbaheshin në dhjetor të vitit të kaluar, por ato u shtynë për 23 prill të këtij vit, meqë situata në terren nuk e mundësonte atë.
Vendimi për zgjedhjet e jashtëzakonshme është marrë pasi kryetarët e këtyre komunave, bashkë me serbë të tjerë, më 5 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.



