
Kuvendi miratoi sot me 71 vota pro disa projektligje të rëndësishme që lidhen me rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Evropian, ndryshimet në Buxhetin e vitit 2025, marrëveshjen me Ukrainën si dhe tre Akte Normative.
Seanca plenare nisi punimet me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtën e detit mbi ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të diversitetit biologjik detar të zonave përtej juridiksionit kombëtar”. Projektligji u prezantua nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, znj.Mirela Kumbaro, e cila në fjalën e saj u ndal në përfitimet që vijnë nga pjesëmarrja në marrëveshje në krijimin e zonave të mbrojtura detare; burimet gjenetike detare, ndërtimin e kapaciteteve dhe transferimin e teknologjisë detare, etj. Projektligji u miratua me 71 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.
Seanca mori në shqyrtim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunimin mbi sigurinë dhe mbështetjen afatgjatë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës”. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z.Igli Hasani, gjatë paraqitjes së projektligjit sqaroi se marrëveshja synon të forcojë partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë mbështetje në fusha si siguria, mbrojtja, ndihma humanitare dhe rindërtimi, në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Shqipërisë për të qëndruar përkrah Ukrainës në përballje me agresionin rus. Projektligji u miratua me 71 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.
Me 71 vota pro u miratua edhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Shqipërisë dhe Komisionit Evropian për programin operacional shumëvjeçar për energjinë, në favor të Republikës së Shqipërisë, për periudhën 2024-2027, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA III)”.
Programi përfshin një financim total prej 44 milionë eurosh, nga të cilat 30 milionë euro janë grant nga Komisioni Evropian dhe 14 milionë euro bashkëfinancim nga buxheti i shtetit shqiptar. Raporti i bashkëpunimit është 68% financim evropian dhe 32% kombëtar.
Në seancën e sotme plenare Kuvendi miratoi po ashtu me 71 vota pro edhe tre Akte Normative, konkretisht: aktin normativ “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 115/2024 “Për buxhetin e vitit 2025″”; akti normativ “Për një shtesë në ligjin “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, i ndryshuar; aktin normativ “Për një shtesë në ligjin “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë, i ndryshuar.
Një tjetër projektligj i miratuar sot ishte edhe ai “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Shqipërisë për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e Bashkimit “Doganat”, për bashkëpunim në fushën e doganave”.
Me 71 vota u miratua po ashtu edhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për marrëveshjen e huas ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Group, sh.a., (OSHEE) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e qëndrueshmërisë së OSHEE-së”.
Projektigjet
Votimet në Kuvend:
Zonat e mbrojtura
71 vota pro
Akti normativ për buxhetin
71 pro
Akti normativ për pasaportat
71 pro
Akti normativ për kartat ID
71 vota pro
Projektligji për sigurinë mes Shqipëri-Ukrainë
71 vota pro
Marrëveshja për Kopenhagën
71 vota pro
Fondi për Abu Dhabin
71 vota pro
Ratifikimi BE-Shqipëri për Doganat
71 vota pro
Banka e Shqipërisë për OSHEE-në
71 vota pro
Programi për Punësimin e të Rinjve
71 vota pro



