Qeveria e drejtuar nga kryeministri Edi Rama ka zhvilluar mbledhjen e radhës në qytetin e Fierit. Pas mbledhjes kreu i qeverisë ka prezantuar edhe vendimet që janë marrë, duke theksuar se është zgjeruar lista e barnave të rimbursueshme, duke e vënë theksin tek ilaçi për trajtimin e kancerit të gjirit, herceptina, për të cilën tha se tani më do të jetë falas në të gjitha spitalet publike.
"Përveç 36 barnave të reja që do të rimbursohen nga shteti për të gjithë njerëzit në nevojë, do të përfshihet si një zgjidhje përfundimtare edhe Herceptima një zgjidhje jetike për ilaçin e gjirit. Përveç se i shtrenjtë ishte edhe problematik, tanimë do të jetë tërësisht falas. Bëhet më në fund një premtim me peshë të madhe dhe më në fund nuk do të ketë më mungesë të Herceptimës për të gjitha gratë dhe vajzat", tha Rama.
Ndërsa vendimi i dytë ka të bëjë me nxitjen e biznesit, kryesisht për fermerët. Rama tha se fermerët me xhiro mbi 5 mln lekë të reja do të përjashtohen nga pagimi i TVSH-së dhe për këtë arsye, ai kërkoi bashkimin e fermerëve për të kaluar këtë prag.
"Deri më sot për të gjithë prodhuesit bujqësor ka qenë një problem kapërcimi i masës 5 mln lekë të reja të xhiros për shkak të përfshirjes në TVSH. Ne ju themi të gjithë prodhuesve bashkohuni për të mos paguar TVSH. Për ata që do të kenë një xhiro më të lartë se 5 mln nuk do të ketë pagesë të TVSH-së. Është një nxitje e mëtejshme për të krijuar premisa për bashkime që janë të domosdoshme dhe që kanë më tepër impakt tek vlera e prodhimit bujqësor dhe tek fondet e Bashkimit Evropian. Bashkohuni sepse është në interesin e çdo fermeri të bashkohet, është në interesin e ekonomisë bujqësore", deklaroi kryeministri.
Gjithashtu Rama prezantoi edhe vendimin se për të gjithë ata që do të investojnë në fushën e agro-turizmit, TVSH-ja do të jetë 6%. Kjo nismë tha kreu i qeverisë është provuar që sjell uljen e varfërisë dhe të papunësisë.
Ndërsa për qarkun e Fierit, Rama përmendi ndërtimin e inceneratorit, që sipas tij do t'i japë fund problemit të mbetjeve urbane dhe prodhimit të energjisë së gjelbër. Kryeministri përmendi edhe përfundimin e Passit të Fierit si dhe ndërtimin e Rrugës Fier-Seman.



