
Pak orë para nisjes së protestës kombëtare të opozitës, delegacioni i BE-së në Tiranë ka bërë një reagim për media, ku ka kërkuar nga liderët politikë që të ushtrojnë një tubim në mënyrë paqësore.
Në deklaratë, BE shprehet se përdorimi i eksplozivëve është i papranueshëm dhe se është përgjegjësi e drejtuesve të protestës që të sigurojnë që demonstrimet të jetë të qeta.
“Ne dënojmë të gjitha aktet e dhunshme që kanë ndodhur në protestat e mëparshme. Asnjë formë e nxitjes së dhunës nuk është e tolerueshme. Përdorimi i eksplozivëve ose i ndonjë sendi tjetër të projektuar për të shkaktuar lëndime është krejtësisht i papranueshëm. Është përgjegjësi e drejtuesve të protestës të sigurojnë që demonstrimet të mbahen në mënyrë të sigurt si për pjesëmarrësit ashtu dhe për banorët e tjerë Tiranës, si dhe për të shmangur çdo përshkallëzim gjatë protestave. Autoritetet e zbatimit të ligjit gjithashtu kanë përgjegjësi për të vepruar me përmbajtje, edhe nëse provokohen.
Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje të gjitha palëve të angazhohen urgjentisht në një dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën aktuale politike”, shkruhet në reagimin e BE-së.
Nga ana e saj edhe Ambasada e Britanisë së Madhe ka reaguar përkitazi me protestën e sotme që do të mbahet në Tiranë. Ambasada britanike bën thirrje të gjithë protestuesve që të protestojnë në mënyrë paqësore. Sipas Ambasadës drejtuesit e protestës janë përgjegjës për mbarëvajtjen e protestës.
Gjithashtu Ambasada Britanike dënon ashpër dhunën e përdorur në protestat e mëparshme. Sipas tyre asnjë formë e nxitjes së dhunës nuk është e tolerueshme.



