Tre ditë më parë, në Bruksel u zhvillua Konferenca e 8-të Ndërqeveritare mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, ku vendi ynë mori sinjale pozitive për avancimin e procesit të negociatave dhe mbylljen e kapitujve, por me disa parakushte të rëndësishme.
Gazetari Mariglen Kume, në analizën e tij për “MCN Live”, u shpreh se BE-ja e ka bërë të qartë se Shqipëria nuk mund të përfitojë nga momenti gjeopolitik pa përmbushur standardet dhe pa garantuar zbatim real të reformave.
Momenti është në favorin tonë. Gjeopolitika dhe situata e krijuar janë në favor të shqiptarëve, por institucionet e BE-së treguan në këto dy muajt e fundit se nuk mund t’u hedhësh ‘hi syve’ për të kaluar përpara vetëm duke shfrytëzuar këtë moment.
Mesazhet e ardhura nga Brukseli, përfshirë edhe deklaratat e komisioneres Marta Kos dhe diplomatëve europianë, tregojnë se nuk mjafton vetëm miratimi formal i reformave dhe paketave ligjore.
Nuk mjafton të miratohet paketa e ligjeve.
Kërkohet cilësi dhe zbatim i reformave dhe ligjeve. Pra, kërkohet produkt serioz.
Kume theksoi se procesi i integrimit evropian nuk mund të ecë përpara pa meritokraci dhe standarde konkrete në funksionimin e shtetit.
Është e vërtetë që BE ka rritur ritmin e qasjes ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ka shtuar vëmendjen për negociatat, por është bërë e qartë se nuk do të tolerohen mungesat e standardeve.
Qeveria shqiptare dhe të gjithë aktorët e përfshirë në proces duhet të jenë të vetëdijshëm se mbyllja e kapitujve dhe nënshkrimi i marrëveshjes së anëtarësimit nuk mund të arrihen pa reforma reale dhe rezultate të prekshme.
Askush nuk duhet të krijojë iluzionin se Shqipëria mund të mbyllë kapitujt dhe të firmosë marrëveshjen e anëtarësimit pa arritur standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian.



