Serbia ka mbajtur të dielën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore.
Lista e Partisë Përparimtare Serbe “Serbia nuk guxon të ndalet” e Aleksandar Vuçiç, ka fituar 46.6 për qind të votave në zgjedhjet e 17 dhjetorit, që nënkupton 129 ulëse në Parlament, sipas sondazheve të organizatës joqeveritare, Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci.
Në vendin e dytë është koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, me 23 për qind të votave apo 63 ulëse.
Në vendin e tretë është Partia Socialiste Serbe, e ish-ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiç, me 6.9 për qind të votave apo 19 ulëse.
Daçiç ka shprehur gatishmëri që të bashkëpunojë me partinë e Vuçiçit.
Sipas sondazheve, nga listat e komuniteteve, Shaip Kamberi e ka siguruar një ulëse të komunitetit shqiptar, Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës pritet të fitojë gjashtë ulëse, koalicioni i kroatëve të Vojvodinës tri ulëse dhe një ulëse ka fituar Partia Ruse.
Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” pretendoi sot se Partia Progresive Serbe (SNS) ka marrë 21.000 vota më shumë se lista e tyre në zgjedhjet në Beograd.
Presidenti i SNS-së, Millosh Vuçeviç, deklaroi se është “i sigurt” se lista e tij ka fituar në kryeqytetin serb, Beograd, dhe se ai beson se Aleksandar Shapiç, do të jetë “kryetari i ri apo i vjetër” i qytetit.
Duke pasur parasysh se më shumë se 40.000 persona pa vendbanim të ligjshëm u sollën në Beograd në mënyrë të organizuar për të mbështetur listën e SNS-së, e cila ndryshoi në mënyrë drastike vullnetin elektoral të qytetarëve të Beogradit, ne kërkojmë anulimin e zgjedhjeve në qytetin e Beogradit dhe përsëritja e votimit për Kuvendin Komunal.
Zgjedhjet e 17 dhjetorit ishin të pestat të organizuara në Serbi prej vitit 2012, dhe janë mbajtur vetëm 18 muaj pas organizimit të procesit të fundit zgjedhor.



