Një operacion i koduar “Blindi” i finalizuar nga Policia e Kurbinit në bashkëpunim me Forcat “Shqiponja” ka çuar në pranga dy persona në qytetin e Laçit. Një 35-vjeçar, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, u kap duke qarkulluar lirisht me një automjet luksoz të blinduar. Bashkë me të u arrestua edhe pasagjeri, të cilit iu gjetën drogë dhe një antiplumb në banesë.
Gjatë aksionit të koordinuar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Mbështetja Operacionale, strukturat policore prangosën në flagrancë shtetasit E. P., 35 vjeç, dhe Z. K., 31 vjeç, të dy banues në Laç.
Dy të rinjtë po lëviznin nëpër qytet me një automjet luksoz të blinduar të tipit “BMW”, i cili drejtohej nga 35-vjeçari E. P. Pas verifikimeve në sistem, policia zbuloi se drejtuesi i mjetit kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar më parë nga Gjykata e Apelit Tiranë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Nga ana tjetër, gjatë kontrollit fizik të pasagjerit Z. K., 31 vjeç, agjentët gjetën një sasi lënde narkotike të dyshuar si Cannabis Sativa. Kontrolli u shtri më tej edhe në banesën e tij, ku policia zbuloi dhe sekuestroi një jelek antiplumb dhe një armë të ftohtë (shpatë).
Në cilësinë e provës materiale, strukturat e Policisë së Shtetit kanë sekuestruar: Automjetin e blinduar "BMW" (i cili dyshohet se është përfituar nga burime të paligjshme), një sasi lënde narkotike Cannabis Sativa, një jelek antiplumb, një armë të ftohtë (shpatë) dhe 3 aparate celularë.
Materialet procedurale i janë kaluar menjëherë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme, ndërsa po vijojnë hetimet për të dokumentuar të gjithë veprimtarinë e kundërligjshme të këtyre shtetasve.



