
Sekretari për çështjet ligjore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, thotë se komisioni i Reformës Zgjedhore u ngrit me kërkesë të Partisë Demokratike me “gjysmë zemre” nga mazhoranca, për të cilën shprehet se u ndje e detyruar përkundër votës që një pjesë e deputetëve të PD, dhanë për zgjatjen e mandateve të organeve të vetingut.
Duke folur për MCN Live, Kaso deklaroi se ngritja e komisionit u kërkua nga ajo pjesë e Partisë Demokratike që dha votat, që të ngrihej komisioni për Reformën Zgjedhore dhe të ngrihet dhe komisioni i Reformës Territoriale.
U pa dhe vazhdon të shihet dita ditës, që mazhoranca nuk e ka pasur seriozisht miratimin e një reforme konsensuale territoriale. U detyrua nga halli mazhoranca që ta ngrinte komisionin, për të thënë se i qëndrojnë marrëveshjes.
Por siç e tha kreu i grupit të Partisë Socialiste, nuk do të ketë ndryshim të bashkive dhe duke parë afatet kohore të shtrënguara për zgjedhjet e ardhshme vendore, që të ketë përpjekje të përbashkët për të formalizuar një reformë konsensuale dhe implementuar.
Materialin përfundimtar e kemi hartuar në formën e një projektligji që do e dorëzojmë në Kuvend, por kam dyshime se do të merret në konsideratë.
Nga ana jonë janë bërë të gjitha përpjekjet të dilte një produkt që përfaqësonte vizionin e opozitës së bashkuar.
Në diskutime me pjesën legjitime të Partisë Demokratike janë gjetur shumë pika të përbashkëta kontakti, me grupin e deputetëve që përfaqësojnë PD në komision.
Ai shtoi më tej se në zgjedhjet vendore PD po përgatitet që të marrë pjesë, qoftë me skenarin aktual, por edhe me ndonjë skenar të ri.
Nga konsensusi që kërkohet nga miqtë dhe partnerët për bërjen e një reformë administrativo-territoriale të përbashkët, do ishte tallje nga mazhoranca, e cila ka provuar ndër vite se nuk i qëndron asnjë dialogu apo marrëveshje, për bashkëpunimet bipartizane.
Sipas tij, është parë se në çdo angazhim të përbashkët që opozita është angazhuar me mazhorancën, ka shkelje të saj dhe nuk i qëndron atyre për të cilat bie dakord, duke vepruar për interesa të ngushta të ditës.



