
Pas emërimit të kreut të ri të Autoritetit të Medias Audiovizive, një reagim ka ardhur ditën e sotme nga Partia Demokratike përmes deputetes së zgjedhur Albana Vokshi. Ajo theksoi në deklaratën për media, se vendimi për emërimin e kreut të re të AMA-s, ra ndesh, me kërkesat e OSBE dhe BE, ndërsa u shqpreh se drejtimi në këtë linjë nga ana e kryeministrit Edi Rama, shkon në drejtim të kundërt me vullnetin e shqiptarëve.
Parlamenti ilegjitim i vuri dje vulën e regjimit antidemokratik me emërimin skandaloz të zëdhënëses së Edi Ramës në krye të Autoritetit të Medias Audiovizive. Me epilogun e turpshëm dhe arrogant, në injorim të plotë të kërkesës së Bashkimit Europian dhe OSBE-së për shtyrjen e procedurës për parlamentin e ri, Edi Rama dëshmoi se prioriteti i tij kryesor nuk është integrimi europian, por pushteti personal. Kryeministri i Shqipërisë u provua sërish si armiku më i madh i fjalës së lirë dhe i medias së pavarur. Injorimi, shpërfillja dhe turpërimi publik që Edi Rama i bëri dje Bashkimit Europian, OSBE-së dhe disa qeverive mike, shkon në drejtim të kundërt me interesin e shqiptarëve!
Më tej Vokshi tha se Partia Demokratike i kërkon SPAK-ut të mos heshtë për këtë rast.
Të nxjerrë dosjen nga sirtari, ku qëndron prej gati 4 muajsh, dhe ta hetojë militanten e Edi Ramës! Ky do të jetë një kontribut real jo vetëm për zgjedhjet, por edhe për lirinë e medias, duke e çliruar Autoritetin e Medias Audiovizive nga militantët e paaftë dhe kamikazë të kryeministrit. Pas masakrës elektorale të 25 prillit perdja e fallsitetit të Edi Ramës me shqiptarët, me opozitën dhe me partnerët europianë ka rënë. Për asnjë moment, Partia Demokratike nuk ka patur as iluzionin më të vogël se Edi Rama mund të tërhiqej nga rruga e tij antidemokratike për mbajtjen dhe kontrollin e çdo pushteti me çdo mjet! Partia Demokratike do të qëndrojë në krah të gazetarëve për lirinë e medias dhe në krah të çdo qytetari për të drejtat e tyre. Beteja jonë për fjalën e lirë është betejë për demokraci dhe për Shqipërinë si Europa!



