
Ka nisur me tensione protesta e tetë e organizuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe opozita para bashkisë së Tiranës. Protestuesit që ndonëse jo të shumtë në numër kanë hedhur tymuese dhe disa molotovë drejt godinës së bashkisë.
I pranishëm ka qenë dhe nënkryetari i Këshillit Bashkiak nga radhët e opozitës, Dorian Teliti nga protesta para këtij institucioni lëshoi akuza në drejtim të Bashkisë së Tiranës.
Ai tha se pavarësisht tentativave për të fikur dritat, protestat e opozitës nuk do të ndalen.
Le ti heqin dritat protestës, por protesta nuk do të ndalojë kurrë, nuk do lejojmë sepse ju sot përfaqësoni vetëm diktaturën, ju nuk doni fjalën e lirë, nuk doni njerëzit të ndërtojnë shtëpitë e tyre, nuk doni fëmijët të ndërtojnë të ardhmen. Ju vidhni me 5D, me inceneratorët, me administratorët dhe për çfarë vetëm e vetëm për të blerë zgjedhjet.
Kjo duhet të marrë fund sepse po i merrni të ardhmen Shqipërisë dhe Tiranës dhe Shqipëria dhe Tirana duhet të jetë në këmbë deri në largimin tuaj në ato zyra ku çdokush mund të hyjë përveç të zgjedhurve vendorë. Ata nuk protestojnë vetëm për veten e tyre por për të gjithë Tiranën. Ne protestojmë për të drejtat tona të munguara, për një shëndetësi normale, po protestojmë për një Shqipëri dhe të ardhme normale.
Ne e kemi me shefat dhe drejtorët tuaj të bashkisë, me kryeministrin e këtij vendi që po merr dita ditës miliona euro dhe asgjë nuk po i kthen shqiptarëve. Me 800 euro mund të ndërtohej një çerdhe shumë e mirë, por s’kemi parë asgjë këto vite, por kemi parë drejtorët që marrin mln euro, kemi parë dhe dhjetëra familje që jetojnë në rrugë se pallati tyre do prishet, nuk kemi parë asnjë zhvillim.



