
Shqiptarët e Luginës së Preshevës, kanë protestuar të dielën për herë të tretë brenda pak muajve, me moton “Kthema adresën”, kundër atyre që i quajnë veprime diskriminuese të autoriteteve serbe ndaj pakicës shqiptare në Serbi.
Ata protestuan para stacionit policor në Medvegjë.

Protestuesve u priu kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, deputeti Shaip Kamberi, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, asamblistët shqiptarë në Medvegjë si dhe aktivistë të tjerë.
Në protestat e mbajtura, fillimisht në Bujanoc, e më pas në Preshevë, u bë thirrje për njohje të diplomave të Kosovës, për integrim nëpër institucionet shtetërore të Serbisë, për lejim të përdorimit të simboleve kombëtare shqiptare dhe për zgjidhjen e çështjes së pasivizimit të adresave.
Pasivizimi i adresës përcaktohet me ligj në Serbi prej vitit 2011. Ligji parasheh që institucionet të bëjnë kontrolle për të kuptuar nëse një banor jeton në adresën e regjistruar.
Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile, përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.
Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.



