
Mes dhimbjeve dhe historive tragjike është inauguruar në Tepelenë muzeu kushtuar 3380 personave të cilët për vite me radhë u internuan në kampin famëkeq të Tepelenës, mes tyre 1163 fëmijë. E pranishme në këtë ceremoni ishte dhe ambasadorja e SHBA Yuri Kim, përfaqësues të BE si dhe familjare të të internuarve apo të mbijetuar të këtij kampi që funksionoi prej vitit 1949-1953.
Simon Mirakaj i mbijetuar i këtij kampi është shprehur se është e domosdoshme rikujtimi dhe njohja e historisë së kaluar por jo të jetojmë me të.

E prekur nga historia e tij, Kim u ka bërë thirrje autoriteteve shqiptarë që të vazhdojnë të mbledhin dhe të publikojnë dokumente dhe të dhëna në lidhje me këtë pjesë të dhimbshme të historisë së Shqipërisë.
Isha e nderuar t’iu bashkohesha ish-të përndjekurve politikë dhe të afërmve të tyre për inaugurimin e ekspozitës së jashtme të përhershme në ish-kampin e internimit në Tepelenë. Gjatë funksionimit të tij në vitet 1949-1953, kampi i Tepelenës mbajti mbi 3000 njerëz, në kushte të tmerrshme. Vetëm gjatë dy muajve në vitin 1950, vdiqën nga sëmundjet 285 fëmijë. U preka kur dëgjova Simon Mirakajn, i cili u detyrua të jetonte atje nga mosha katër deri në nëntë vjeç, të fliste për atë që ai dhe të tjerët duruan në kamp. Është shumë e rëndësishme që autoritetet shqiptare të vazhdojnë të mbledhin dhe të publikojnë dokumente dhe të dhëna në lidhje me këtë pjesë të dhimbshme të historisë së Shqipërisë. Njerëzit vazhdojnë të vuajnë, veçanërisht ata që nuk kanë gjetur ende eshtrat e të dashurve të tyre. Paqja nuk mund të vijë pa të vërtetën dhe pajtimin.
Në kampin e Tepelenës u internuan 1500 familje, 3380 vetë mes tyre 1254 gra dhe 1163 fëmijë, ku shumë prej tyre humbën jetën si pasojë e përhapjes së sëmundjes së dizenterisë, urisë, punës së rëndë apo edhe ushtrimi dhunës fizike.
Kampi i Tepelenës u përfol në arenën ndërkombëtare, madje duke zënë vend në raportin e qeverisë Amerikane paraqitur në OKB në shkurt 1955, ndërsa edhe sot janë me qindra persona të cilët kanë ndërruar jetë dhe ende varret e tyre janë të pazbuluar.




