Atird Hoxha, anëtari demokrat i Këshillit Bashkiak Vlorë, për projektin në Zvërnec thotë se nuk ka transparentë.
Në një intervistë për edicionin e lajmeve në MCN TV, ai deklaroi se Këshilli Bashkiak Vlorë, nuk është informuar për projektin në Zvërnec.
Sipas tij, gjithçka vjen si pasojë e centralizimit të pushtetit te Partia Socialiste dhe Kryeministri Edi Rama, pasi lejet nuk aplikohen më pranë pushtetit vendor, por te Këshilli Kombëtar i Territorit në Tiranë.
Hoxha shtoi se gjithçka mbahet e centralizuar për të favorizuar klientë vendas apo të huaj pranë Kryeministrit dhe Partisë Socialiste.
Në vijim tha se qytetarët dhe ambientalistët janë në të drejtën e tyre për të protestuar.
Në mbledhjen e fundit unë i kam kërkuar drejtuesit të seancës se nuk ishte as kryetarja dhe as nënkryetarja e bashkisë, se duke qenë të informuar për protestën e parë në zonën e Lagunës së Nartës, kërkuam që kryetarja e bashkisë të shpjegonte para qytetarëve të Vlorës, se çfarë po ndodhte në 250 hektarë në territorin ku aktualisht po veprohet.
Kërkuam shpjegim nga kryetarja e bashkisë lidhur me lejen e ndërtimit, zhvillimit, për të pasur informacion të bollshëm që dhe qytetarët të ishin të informuar për këtë investim. Ne kemi parë shpesh herë dhe jemi informuar lidhur me investitorët që paraqiten apo arkitektët, vetëm nga kronikat e mediave. Një grup arkitektësh vizituan para ca kohësh zonën, tregon se çdo gjë është e fshehtë.
Qytetarët dhe ambientalistët janë në të drejtën e tyre për të protestuar. Nuk jam kundër zhvillimit të zonës, por nuk ka transparencë për këtë investim. Zëri i ambientalistëve duhet të dëgjohet. Të gjitha këto janë pasojë e centralizimit të pushtetit te Partia Socialiste dhe Kryeministrit Rama.
Se nëse deri dje lejet aplikoheshin pranë pushtetit vendor, tashmë duhen aplikuar te KKT në Tiranë dhe për këtë arsye nuk ka asnjë informacion lidhur me zhvillimin e projektit. Bashkia Vlorë duhet të kërkojë informacion për çdo investim në territorin e bashkisë.
Është për të ardhur keq që kryetarja e bashkisë, e zgjedhur për të dhënë shpjegime për këto raste me interes të lartë, bëhet zëdhënëse e kompanive që duan të investojnë dhe zhvillojnë. Ne kërkojmë nga bashkia Vlorë dhe qytetarët kërkojnë shpjegime nga ekzekutivi për ecurinë e këtij procesi.
Gjithçka mbahet e centralizuar për të favorizuar klientë vendas apo të huaj pranë Kryeministrit dhe Partisë Socialiste. Kjo është një zonë totalisht e virgjër, plazhi ka një peizazh fantastik. Nuk do të jemi kundër investimeve të huaja, por jemi për një transparencë për të gjitha këto zhvillime.
Investimet e huaja janë të mirëpritura por në këtë situatë dhe kontestim që kanë qytetarët, duhet të ketë një shpjegim. Nuk ka shpjegime nga Rama, ka paqartësi. Rama tha se kjo zonë ishte e kategorisë së pestë, pra Kryeministri dinte dhe kategorinë e zonës.



