Ministri i Brendshëm Taulant Balla foli në Kuvend mbi tullumbacet me dioksid azoti që shiten lirshëm në lokalet e Tiranës.
Ai u shpreh se shumë shpejt do të sillet në Kuvend ligji që kjo formë e dioksidit të azotit të konsiderohet e palejuar.
“Dua të informoj Kuvendin e Shqipërisë se edhe për çështjen që ngriti z.Gjekmarkaj se prej ditës së parë në detyre i kam kërkuar Policisë së Shtetit të identifikojë të gjitha llojët e lëndëve narkotike, por edhe ato që në legjislacion shqiptar nuk konsiderohen si lëndë narkotike, por që janë kthyer sot në trend të rrezikshëm të përdorimit dhe pastaj të krijimit të varësisë së fëmijëve hap pas hapi te lëndë të ndryshme narkotike. As rasti në fjalë i nderuar deputet nuk po tolerohet. Policia po e bazon veprimin e vet dhe goditjen e vet, në mungesë të legjislacionit që do e sjellin shumë shpejt në Kuvend për ta klasifikuar edhe këtë formë të oksidit të azotit në një lëndë të palejuar, edhe pse ligji e ka lejuar. Ka hyrë në Shqipëri duke paguar edhe doganën. Duhet vendosur nën kontrollin e shtetit për mënyrën e përdorimit të saj, Është përdorur në klinika dentare për fëmijët e vegjël për të bërë ndërhyrje. Ta çojmë të gjithë së bashku këtë paketë të sigurisë në shkolla. Kjo s’është politikë e ditës”, tha Balla.



