
Me ftesë të presidentit të Kosovës, Bashkimi Evropian ka dërguar një mision për të vëzhguar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, i cili do ta vlerësojë se sa përputhen zgjedhjet me ligjet e Kosovës si dhe me standardet ndërkombëtare për zgjedhje.
Shefja e Misionit Vëzhgues nga Bashkimi Evropian, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, Viola von Cramon-Taubadel ka thënë sot në Prishtinë se misioni që ajo drejton është dëshmi se BE-ja do të mbështesë organizimin e zgjedhjeve transparente dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë.
Megjithëkëtë, kryesuesja e vëzhgimit të BE-së për këto zgjedhje tha se është herët për të bërë një konkluzion për të gjitha rekomandimet, sepse disa nga to kanë të bëjnë me procese si edukimi i votuesve, trajnimi i stafit përgjegjës në vendvotime etj.
“Misioni jonë për zgjedhjet e vitit 2017, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare ka ofruar 26 rekomandime. Shumë nga to nuk janë implementuar. Në fakt, asnjë nga rekomandimet që përfshijnë ndryshime ligjore nuk janë adoptuar”, tha Cramon Taubadel.
Ky është misioni i pestë i vëzhgimit të zgjedhjeve nga BE në Kosovë që nga viti 2013. Misioni do të publikojë një deklaratë paraprake pas ditës së zgjedhjeve dhe do të qëndrojë në Kosovë për të vëzhguar procesin e rezultateve deri në përfundim të tyre. Një raport final që do t’i përfshijë rekomandimet për zgjedhjet e ardhshme do të prezantohet përafërsisht dy deri tre muaj më vonë nga ta.
Ekipi bazë prej 9 analistësh ka arritur në Prishtinë më 7 shtator, kurse 18 vëzhgues afatgjatë janë dërguar nëpër Kosovë më 15 shtator për të vëzhguar procesin në të gjitha 38 komunat.
Pjesa tjetër e ekipit do t’i bashkohet misionit pak para ditës së zgjedhjeve.



