Fituesi i zgjedhjeve në Prishtinë, Përparim Rama, ka ndarë sot në rrjete sociale, fotografi teksa ecë rrugëve të kryeqytetit.
Një ditë pas fitores, Rama ka falënderuar sërish qytetarët që dolën në votime, ekipin e tij dhe bashkëshorten. Ai e quan nismë të një epoke të re, ku të gjithë do i dalim zot vetvetes.
“Sot fillon një epokë e re, ajo në të cilën ne të gjithë, bashkë, do t’i dalim zot vetvetes”.
Fitoren si kryetar i kryeqytetit ia dedikon secilit banor, duke thënë se e njëjta nuk do të ishte e mundur pa besimin e qytetarëve dhe atyre që e ndihmuan gjatë kësaj kohe.
“Prishtina ime e zemrës. Kjo fitore është e jotja. Sot fitoi secili banor, në qytet e në çdo fshat. Kjo fitore nuk do të ishte e mundshme pa besimin dhe angazhimin maksimal të një mori njerëzish që më besuan e më ndihmuan në sipërmarrjen time të fushatës. I jam thellësisht mirënjohës për punën e palodhshme ekipit tim të mrekullueshëm”, shkroi ai.
Siç potencoi Rama, “vota jote më fuqizon me privilegjin e të qenit Kryetar i Prishtinës, e që nuk është Kryetar veç i një tjetër komune, po i vetë kryeqytetit të Kosovës”.
“Të kryeqytetit, që ka zgjedhur zhvillimin dhe transformimin, dhe që duke qenë i krejt Kosovës, ka për ta llogaritë gjithë Kosovën në planifikimin e vet të gjithmbarshëm komunal.
Ju përulem para privilegjit e përgjegjësisë që ma keni dhënë. Ju përulem me sinqeritet e me shumë dashuri, dhe ju jap fjalën që secilën ditë si kryetari juaj do të punoj për jetësimin e plotë të krejt projekteve që i kam premtuar”, shtoi Rama.
Përparim Rama, timonin për qeverisje si i pari i Prishtinës e mori duke siguruar 40 mijë e 659 vota apo 51.07 për qind të totalit të votave.
Bazuar në rezultatet preliminare të KQZ, arkitekti Rama, i cili do ta udhëheqë Prishtinën për katër vitet e ardhshme, ka arritur të grumbullojë një mijë e 701 vota më shumë se kundër kandidati i tij nga VV, Arben Vitia.



