Ish-kandidatja për bashkinë e Tiranës Lajla Përnaska e konsideroi një tmerr diferencën midis Erion Veliajt dhe Belind Këllicit në garën për kryeqytetin. Duke folur në emisionin “Stay Tuned” ajo vuri në dukje se koalicioni mes Foltores dhe PL-së nuk u pranua dhe nuk u mbështet. Ndër të tjera ajo tregoi përvojën në fushatën e Besnik Mustafajt dhe Lulzim Bashës në garën për Tiranën. “Unë kam prekur një pritshmëri të lartë të qytetarëve për të pasur një ndryshim në mënyrën e qeverisjes së bashkisë së Tiranës. Ishte një perceptim paraprak që në start që opozita s’kishte shanse ta fitonte garën. Nga mënyra si hyri opozita në garë, si u organizua dhe u strukturua. Unë eksperiencën e parë e kam te stafi i Besnik Mustafajt. Ajo garë nuk u fitua sepse nuk kishim kandidatin e duhur. Jam e bindur që nëse do kishim kandidat z.Topi do ta kishim fituar garën për Tiranën. Në 2011 kam qenë drejtuese e fushatës së Bashës në njësinë nr.2. Si pjesë e grupit kryesor të drejtimit të fushatës, e kam të qartë edhe sot si organizohet një fushatë fituese. Ne u futëm me një strategji fituese. I kishim të gjithë treguesit që do ishte fushatë me rezultat pozitiv, pasi u krijua fryma. Nuk kishte asnjë fije ngjashmërie me fushatën që u mbyll. Hibridi Foltore-PL nuk ngjiti, nuk kishte absorbim, ishte një nga arsyet që çoi në atë rezultat. Diferenca 60 mijë është tmerr i paparë. 60 mijë vota janë një qytet. Diferencë e frikshme që s’ka bërë kurrë vaki”, tha Përnaska.



