
20:15-Grenell pas takimit me liderët e Kosovës: Jemi në këtë pikë falë presidentit Trump
Pas përfundimit të takimit me liderët e Kosovës, i dërguari i SHBA-vë për marrëveshjen me Serbinë, Richard Grenell, është shprehur se për Kosovën do të bëhet shumë në aspektin e zhvillimit ekonomik. Në konferencën e mbajtur për mediat Grenell thotë se nuk do të ishim këtu pa mbështejen e Trump.
“Përshëndetje nga presidenti Trump. Jam i bashkangjitur nga shumë kolegë. E shikoni këtë prapa meje, ai është njeriu i parave dhe ka sjellë një çek të madh. Në fakt ende jo, por do t’i sjellë. Shumë premtime janë dhënë në të kaluarën dhe ajo se çfarë ne dëshirojmë të bëjmë është që të zbatojmë me përpikëmëri zotimet. Duam ti tregojmë popullit të Kosovës se do të punojmë për zhvillimin ekonomik. Do ta falënderoj kryeministrin dhe presidentin Thaci për punën e tyre të palodhshme në fillim të procesit.
“Do t’i sjellim këto projekte në jetë. Energji e vërtetë që do të sjellë kjo marrëveshje që do të ndërrojë dinamikën. Presidenti Trump më tha që të bëj një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës që do të sillte dinamizëm ekonomik. Simbolizmi nuk e paguan qeranë. Duhet që të sjellim zhvillim. Muajin tjetër do të vijë një ekip tjetër në Kosovë. Do të kryej fizibilitetin në liqenin e Ujmanit.
Nuk do të ishim këtu pa presidentin Trump. Ai më tha bëjmë dicka ndryshe për njerëzit. Pasi u nënshkrua marrëveshja ai më tha, tani shko zbatoje. Ai gjithmonë shtyn përpara proçeset,"- përfundoi ai.
19:30- Grenell dhe delegacioni i SHBA-së nis takimin me kryeministrin Hoti
Delegacioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka mbërritur në Kosovë para pak minutash, ku në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës është pritur nga kryeministri Avdullah Hoti.
Pjesë e delegacionit të udhëhequr nga Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA, Adam Boehler, është edhe emisari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, kjo vizitë bëhet në kuadër të Marrëveshjes për normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë.
Në përbërjen e ekipit të Hotit do të jenë zëvendëskryeministrat Besnik Tahiri, Albulena Halimaj, Driton Selmanaj, ai nga radhët e serbeve Goran Rakic, si dhe ministrat Arban Abrashi, Meliza Haradinaj-Stublla, Selim Selimi, Blerim Kuçi dhe Vesel Krasniqi.
Ndryshe, Grenelli bashkë me 13 zyrtarë të tjerë amerikanë vjen në Prishtinë dy javë pasi në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e presentit Donald Trump, Serbia dhe Kosova nënshkruan dy marrëveshje.
Grenell arrin sot për vizitë zyrtare në Kosovë, bashkë me një delegacion të qeverisë amerikane i udhëhequr nga kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit të SHBA-së (DFC) Adam Boehler.



