Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka shkuar sot në Shkodër ku është bërë një analizë e punës gjatë 2023 dhe janë vendosur prioritetet për 2024.
Gjatë fjalës së tij Balla u shpreh që ka mbaruar koha kur policia nuk mund të hynte në lagjet e të fortëve, ndërsa ka dhënë porosi që prioritet për këtë vit të jetë lufta ndaj narkotikëve dhe goditja e grupeve kriminale.
Shkodra ka një sërë problematikash që lidhen me policinë, kontrolli i territorit dhe lufta ndaj fenomeneve që lidhen me informalitetin dhe krimin. Në Shkodër janë 247 persona në kërkim. Koha e të fortëve ka mbaruar. Ka mbaruar koha kur policia nuk mund të hynte në lagjet e Shkodrës të kthyera në bajraqe. Sfida për 2024 është kontrolli i territorit në evidentimin e bimëve narkotike dhe goditja e grupeve kriminale.
Çështja e personave në kërkim është sfidë dhe në Bashkimin Evropian. Po punojmë dhe kemi rezultat të mirë dhe nga dvp Shkodër. Për kanabisin policia ka pasur rezultate të shkëlqyera, nuk mjaftohemi vetëm me zbulimin e parcelës por kush është grupi prapa tyre. Ne nuk do merremi vetëm me ngjarjet e 2023 por me ngjarjet që nga 1992 pasi këto ngjarje të pa zbuluara janë burim për ngjarje të reja. Procesi i vetingut në polici po ecën dhe po jep rezultate. Procesin nuk mund ta komentoj pasi është institucion i pavarur.
Dua që liqeni i Shkodrës të mos përmendet më për peshkim të paligjshëm, dua të jetë vetëm në funksion të turizmit. Shkodra po rilind në ofertën turistike.



