Kreu i PD Sali Berisha kërkoi rikthimin urgjent të Erion Veliajt në Shqipëri ose dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës.
Berisha akuzon Ramën dhe Veliajn për korrupsion dhe për mbështetje të një “narko-shteti” dhe diktature, duke e cilësuar largimin e Veliajt si një përpjekje për të fshehur krimet e qeverisë dhe për të shmangur dënimin.

“Lajme të shumta bëjnë të ditur se Erion Veliaj, bashkëpronari i vërtetë i djegësit të Tiranës, që mungon, i pyllit 1 milion pemë që nuk ekziston, i modelit të vjedhjes 100 përqind me 5D, pasi mori zyrtarisht një seri akuzash, të cilat shkonin për përmasat e krimit nga 20 në 35 vite burg, sot në ora 5:15 të mëngjesit është nisur jashtë vendit, sipas thashethemit për në SHBA, por në të vërtetë drejtimi është i panjohur.
Zonja dhe zotërinj, ky është një akt nga më të rëndët në historinë e një shteti, i organizuar, i orkestruar direkt nga Edi Rama.
Kjo sepse Erion Veliaj është bashkautor dhe dëshmitar i vjedhjeve më të paimagjinueshme, më të pallogaritshme, më të mëdha që Edi Rama ka bërë në Shqipëri gjatë këtyre 12 viteve së bashku me Erion Veliajn dhe organizatën e tij kriminale.
Edi Rama bllokoi lëshimin e urdhër-arrestit ndaj Erion Veliajt, bllokoi lëshimin e sekuestrimit të pasaportës dhe ndalimit për të dalë jashtë shteti dhe de facto ai e përcolli atë në drejtim të paditur në mënyrë që shqiptarët të mos mësojnë fatin e qindra e qindra milionë euro të vjedhura nga Edi Rama dhe Erion Veliaj në djegësin e Tiranës, në aferën 5D, por dhe në të gjitha lejet e ndërtimit në territorin e Tiranës, kullat gjigante në të cilat flitet rëndom se Edi Rama ka 30 përqind të pronësisë.
Me këtë rast, unë kërkoj në mënyrën më urgjente rikthimin e Erion Veliajt në Tiranë.
Dënoj në mënyrën më të ashpër këtë akt superskandaloz”.



