Kreu i PR Fatmir Mediu duke folur në MCN Live tha se nuk është kundër kandidimit të Argita Malltezit në një garë të mundshme brenda PD-së, por vuri në dukje se asnjë individ në opozitë s’mund të krijoj idenë e një lideri të pathyeshëm. Ai vuri në dukje se duhet krijuar një bashkim opozitar i pathyeshëm, duke përfshirë figura të reja.

"Nuk kam asnjë gjë kur konkurron dhe fiton, jam kundër një diskutimi që është bosh. Nuk besoj se asnjë individ sot në opozitë krijon idenë e liderit të pathyeshëm, ne duhet të krijojmë bashkimin opozitar si të pathyeshëm dhe sjellja e një plani, një qeverie hije, me të rinj e të reja, me kandidatë që vijnë nga të gjitha trojet e Shqipërisë, edhe nga diaspora, do ta bënte opozitën më vlefshme dhe konkurruese. Kushdo mund të konkurrojë, por duke parë si po zhvillohet politika, ne duhet të shmangemi, të devalorizojmë idetë e individëve, që ngrihen ndonjëherë qëllimisht, për të krijuar idenë e pronës private, një lloj monarkie politike, të vemë te ideja për të ndërtuar një funksionalitet opozitar".
Mediu u shpreh i bindur që Rama mundet, por jo në këtë formë, duke theksuar se “një pjesë të madhe të pushtetit Ramës ia ka dhënë opozita me sjelljen e saj idiote”.
Mediu tha ndër të tjera se “gjithë struktura e PR është rinovuar”, duke shtuar se do të ketë një sistem gare për të përcaktuar kandidatët për deputetë.



