Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka jep një mesazh ashtu si koordinatorja e përhershme të OKB-së në Shqipëri, Fiona McCluney, me rastin e ditës së Kombeve të Bashkuara, e cilësoi si ditë të veçantë duke thënë se kjo organizatë ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në ndërtimin e botës ku ne jetojmë sot.
Ministrja deklaroi se Shqipëria është një vend që beson tek roli i jashtëzakonshëm i OKB dhe që është e përkushtuar ndaj ruajtjes dhe forcimit të sistemit ndërkombëtar të bazuar tek rregullat.
E kemi treguar këtë duke ju bashkuar e duke punuar seriozisht për nismat, objektivat e agjendat e OKB, por edhe duke mbështetur, jo vetëm politikisht, përpjekjet paqeruajtëse të OKB-së, duke ndihmuar me trupa, vëzhgues ushtarakë dhe policorë, si edhe fonde në buxhetin e posaçëm të operacioneve paqeruajtëse.
Ne jemi krenarë, që sot, vendi ynë mund të luajë një rol akoma më të madh në këtë drejtim gjatë mandatit të tij dy vjeçar në Këshillin e Sigurimit. Dhe jemi krenarë, që po e luajmë këtë rol në një moment kur ky rend ndërkombëtar që ka garantuar paqen e sigurinë është nën kërcënimin më serioz që ai ka njohur që prej krijimit të OKB si pasojë e agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës.
Shqipëria ka marrë një rol të dorës së parë në përpjekjet e mbështetura nga shumica dërrmuese e vendeve të globit për t’i dhënë fund këtij agresioni e për të izoluar agresorin, jo thjesht sepse ne besojmë që kjo është gjëja e duhur për të bërë dhe që Ukraina meriton të gjithë mbështetjen tonë.
Por edhe pse, ne besojmë, që përmes kësaj mbështetje ne jemi duke kontribuar krah aleatëve e partnerëve dhe pjesës dërrmuese të vendeve anëtare, për të ruajtur e konsoliduar rendin ndërkombëtar dhe rolin primar që OKB ka në garantimin e paqes, sigurisë e stabilitetit.
Në vijim shtoi se ky përvjetor këtë vit merr një rëndësi akoma më të madhe, pasi sot më shumë se kurrë kombet duhet t’i qëndrojnë fort mbrojtjes të parimeve dhe vlerave Kombeve të Bashkuara dhe të multilateralizmit, sepse kështu do të mund sigurojmë të ardhmen dhe prosperitetin e brezave që do të vijnë.
Nga ana e saj McCluney bëri ftesë për të mos e humbur ekspozitën në natyrë ekspresive “Ne, njerëzit” - një vepër unike e një artisti të ri që ndërmori një iniciativë personale për të kapur 999 portrete të njerëzve të thjeshtë nga e gjithë Shqipëria.
Njerëz të të gjitha moshave, të të gjitha origjinave dhe besimeve fetare, njerëz të të gjitha gjinive dhe orientimeve seksuale. Ejani sot të shikoni instalacionin në sheshin Skënderbej dhe për pjesën tjetër të javës tek Sheshi Italia.
Ekspozita do të shfaqet së bashku me programin tonë të aktiviteteve në Pukë më 26 tetor, Përmet më 27 dhe Durrës më 28 Tetor. Bashkohuni me ne në angazhimin tonë për një botë të qëndrueshme dhe paqësore.



