
Pas humbjes në zgjedhjet e 11 majit, në Partinë Demokratike kanë nisur të shtohen zërat kritikë që kërkojnë ndryshim të lidershipit, me në qendër Sali Berishën. Mes të pakënaqurve është hedhur ideja e një “Foltore 2”, që do të synonte një reflektim dhe ristrukturim të thellë në parti.
Gazetari i politikës Mariglen Kume, në një intervistë për “MCN Live”, theksoi se kjo lëvizje vjen kryesisht nga rezerva e atyre që nuk ishin përfshirë në listat për zgjedhjen e lidershipit më 11 maj.
Ka një grup kritikësh brenda PD-së që kërkon ndryshim, por edhe një analizë të thellë për rezultatin.
Shumë nga zërat kritikë ndihen të përjashtuar dhe besojnë se drejtuesit aktualë, përfshirë zotin Berisha, duhet të mbajnë përgjegjësi për humbjen.
Në PD po përflitet për një garë të brendshme të heshtur mes atyre që kërkojnë të jenë përfaqësues të qytetarëve.
Dikush kërkon të justifikohet për rezultatin, dikush tjetër të promovohet si zëri i vërtetë i demokratëve.
Përveç kritikave ndaj lidershipit, po shtohen dhe kërkesat për një analizë të plotë të funksionimit të strukturave të PD-së, si dhe për qartësimin e ndarjes mes Grupit Parlamentar dhe strukturave drejtuese të partisë.
Zhvillimet e fundit janë përshpejtuar edhe nga deklaratat e deputetit të Durrësit Xhaferraj dhe të tjerë zyrtarë të PD-së, të cilët kërkojnë riformatim të partisë dhe reflektim për humbjet e njëpasnjëshme, duke u pozicionuar kritikisht ndaj një klime të mbyllur dhe të dominuar nga “klane të brendshme”.
Në shtator pritet që Berisha të mbajë një analizë gjithëpërfshirëse për zgjedhjet dhe funksionimin e partisë. Ka gjasa që kjo të pasohet nga zgjedhje të brendshme në PD. Kjo është lënë të nënkuptohet edhe nga vetë Berisha.
Mendoj se gjithçka do të varet nga lëvizjet që do të ndërmarrë vetë Berisha në vjeshtë dhe nga forca që do të tregojnë zërat kritikë brenda partisë, duke përfshirë edhe figura të rikthyera si Ervin Salianji.



