
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është i mundur vetëm nëse Beogradi dorëzon Milan Radoiçiçin dhe angazhohet për zbatimin e marrëveshjes bazike. Kurti e bëri këtë deklaratë pas komenteve të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka përmendur dhe situatën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kurti theksoi se e mirëpret rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat janë aleati kryesor i Kosovës në tre fusha thelbësore: mbrojtje, diplomaci dhe zhvillim.
“Unë besoj që normalizimi është i mundur, por trysnia duhet të jetë mbi Beogradin," tha ai, duke shtuar se "gjithmonë është mirëpritur angazhimi i SHBA për të ndihmuar Kosovën në procesin e normalizimit me Serbinë".
Ky koment u pasua nga reagimi i presidentit amerikan Donald Trump, i cili, në një deklaratë të bërë kohët e fundit, ka prekur edhe temën e mundësisë së një konflikti të mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë.
Trump ka theksuar se gjatë mandatit të tij të parë kishte "ndaluar mundësinë e eskalimit të situatës", duke i referuar një periudhe tensionesh midis dy vendeve.
Në lidhje me këtë, Kurti shtoi se Serbia duhet të ndërmarrë tre hapa kyç për të arritur një normalizim të plotë të marrëdhënieve.
Ne kemi një marrëveshje bazike me Serbinë, e cila po shkelet nga Serbia.
Për të normalizuar marrëdhëniet mes dy shteteve tona, është e domosdoshme që Serbia t'ua dorëzojë autoriteteve të Kosovës Milan Radojçiçin, kryekriminelin që ka qenë i përfshirë në vrasjen e rreshterit policor Afrim Bunjaku, dhe që ka shkaktuar shumë vuajtje dhe dëme të tjera.
Kurti gjithashtu kërkoi që Serbia të pranojë nënshkrimin e marrëveshjes bazike dhe të zbatimit të saj dhe të tërheqë deklaratën e dhjetorit të vitit 2023, kur ish-kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, tha se Serbia nuk respekton integritetin territorial të Kosovës.



