
Ish-ministri i Jashtëm Arjan Starova i konsideroi si të stisura akuzat ndaj ish-drejtuesve të UÇK, duke theksuar pas tyre qëndrojnë segmente politike.
Ai vë në dukje se lufta nuk mund të njolloset pasi e dha rezultatin e saj.
Starova thekson se nuk kishte nevojë që Gjykata Speciale të merrte status ndërkombëtar, por të mbetej brenda Kosovës.
Që para dy vjetësh kam pasur mendimin që e gjithë kjo është e stistur, ka një segment politik mbrapa. Ka motive politike, nuk them që gjyqi është politik. Kam thënë që ata do dalin të pafajshëm. Gjykatat Speciale janë krijuar me vendime të marra nga deputetët, përfaqësuesit e popullit të Kosovës. Tashmë po shihet qartë se te shqiptarët mbizotrojnë emocionet mbi arsyen. Ka ndikuar një aktor i jashtëm, e interesuar është Serbia, që në arenën ndërkombëtarët të dalin në plan diskutimet për krime lufte. Më duket se një goditje e ka marrë kjo gjykatë dhe ky proces, kur ra raporti i Dick Marty-t për shtëpinë e verdhë, qesharake, si përrallat për fëmijë. Në çdo luftë ku ka përplasje të armatosur, ku ka inate, zemërim, mund të ketë skena të përplasjeve, të teprimit të dhunës, këto ndodhin në çdo luftë dhe nuk mund të evidentohen asnjëherë. Nëse një gjykatë hyn në ato detaje dhe harron gjenocidin e pushtuesit, kjo është anormale, si t’i hysh detit me këmbë. Të katër këta drejtues s’kanë pasur interes të bënin krime me interes të caktuar, keqtrajtime. Synimi i tyre ka qenë t’i japim popullit lirinë, pasi rruga paqësore e Rugovës nuk prodhoi atë që duhej. Qëllimi për të bërë keqtrajtime, shantazhe, është i panevojshëm. Shpresoj që ky proces të përfundojë me pafajësinë e tyre. Akuzat mund të mos jenë të stisura, por s’kanë lidhje me këta direkt. Lufta nuk mund të njolloset, e dha rezultatin e saj. Nuk kishte nevojë Gjykata Speciale të merrte status ndërkombëtar. Duhet të ishte brenda Kosovës.
Qeveria shqiptare vetëm show di të bëjë. Boll të shohim qëndrimin që ka mbajtur qeveria Rama për ‘Ballkanin e Hapur’. Para se të bësh deklarata duhet të diskutosh më parë me qeverinë e Kosovës, s’e ka bërë këtë gjë. Lidhet me psiqikën e tij (Edi Ramës), që ka qejf të shkojë kundër gjërave, që ia mohojnë të tërë”.



