Partia Demokratike ka akuzuar kryebashkiakun Erion Veliaj se tanimë ka nisur betonizimin e zonës së parkut të Liqenit Artificial, duke favorizuar si gjithnjë klientët e zakonshëm të pushtetit.
Zëdhënësja Ina Zhupa vuri në dukje faktin se në zonën ku ndodhet Garda e Republikës, do të ngrihen ndërtesa mbi 9 kate e 29 metra lartësi nga firma 51N4E, “e njohur si vendi i punës së Rea Xhillarit, vajzës së familjes Rama”.
Ajo kujtoi se opozita e ka paralajmëruar dhe faktuar me dokumente që në 2018, betonizimin e zonës së Parkut te Liqenit, atje ku ndodhet Garda e Republikës.

“Preteksi ishte se aty do transferohej Biblioteka Kombëtare edhe Qendra Kulturore për fëmijë për të hapur rrugën e ndërtimeve shumëkatëshe. Atëherë Veliaj e mohoi, edhe si në çdo rast tjetër thjesht mashtroi.
Bashkia Tiranë ka shpallur fituesin e tenderit për “Hartimin e Planit të Detajuar Vendor të Njësisë TR/169” që është zona ku ndodhet Garda e Republikës pranë parkut të liqenit , fituese ka rezultuar kompania “I Ri “ sh.p.k. Por ky është vetëm emri që nga mbrapa ka zotëruese kompaninë “51N4E” siç tregojnë dokumentat dhe Gent Agollin, ish konsulentin e “Sheshit Skenderbej”, pra klientët e zakonshëm të pushtetit.”, shkroi Zhupa në Facebook.
Sipas saj, kjo zonë ishte propagandua nga Veliaj se do i kthehej parkut të liqenit.
“Por ndërkohë u planifikuar për shërbime, zyra, parkim, banim, ku kullat e klientëve të zakonshëm do zaptojnë edhe këtë territor në hyrje të parkut. Ky plan i Veliajt dëmton akoma më shumë qytetarët e Tiranës, ku çdo cep po betonizohet edhe hapësira e vetme e gjelbër si parku po kafshohet me kulla nga te gjitha anët e saj.”




