
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, u bëri thirrje sot qytetarëve t’i bëshkohen protestës së opozitës, e parashikuar për në datën 27 janar. Në përfundim të mbledhjes me krerët demokratë të rretheve, Basha tha se protestat e opozitës kanë për qëllim largimin e paligjshmërisë.
“Ftojmë gjithë shqiptaret që të bashkohen në 27 janar, të shtunën në një protestë mbarë popullore, kundër varfërisë, kundër papunësisë dhe drejtësisë së kapur politikisht, për një drejtësi të çliruar nga krimi. Drejtësi për të rinjtë, të papunët, për ata që duan ta ndërtojnë jetën në Shqipëri. Gjithçka nis nga kthimi i ligjshmërisë në vend. Nëse sot kemi një narkoshtet, ky narkoshtet është ndërtuar mbi paligjshmërinë. Është themeli i zgjedhjeve të kapura, i votës së shantazhuar, që ka çuar në një parlament të paligjshëm, kryeministër të paligjshme. Papunësia ka si shkak kryesor paligjshmërinë dhe i shpërndar tek një grup njerëzit. Objektivi i opozitës është dhënia fund e kësaj qeverie, për një Shqipëri me taksa të ulta. Për një Shqipëri që ka çmimet e energjisë, të taksave, të ujit, jo më të larta. Ndaj ftojmë gjithë shqiptarët që të marrin pjesë në manifest që ka si qëllim largimin e paligjshmërinë. PD dhe gjithë aleatët, kanë nisur dhe do të intensifikojnë një dialog për t’ju paraprirë kësaj proteste. Ftojmë çdokënd, që fryma e refuzimit prek nga çdo shqiptar, që ta kthejmë në një frymë proteste. Të gjithë bashkë të japim sinjalin që e keqja ka marrë fund”, tha Basha.
Ashtu si në 18 dhjetor, protestës do t’i bashkohet edhe LSI-ja. Edhe kryetarja Monika Kryemadhi mblodhi sot drejtuesit e degëve të partisë së saj në rrethe.
“Të gjithë strukturat e LSI në këmbë kundër kryeministrit të drogës dhe varfërisë. Organizim kapilar i LSI për rezistencë pa kompromis ndaj banditizmit qeveritar. Rezistencë në të gjitha frontet, në çdo familje dhe në çdo shesh. Fronti i gjerë kombëtar opozitar përballë Rilindjes së vetmuar të lidhur me krimin”, u shpreh ajo gjatë mbledhjes me drejtuesit e LSI-së.



