
Pas akuzave të deputetit socialist Erion Braçe, i cili deklaroi se në vitin 2015, kur Ministria e Bujqësisë drejtohej nga LSI është lidhur një kontratë më kompanitë e Klemnet Balilit vjen edhe reagimi i ministrit te asaj kohe, Edmond Panariti. Ai i bëri thirrje mazhorancës që të shkojnë në Prokurori dhe ti nënshtrohen një procesi transparent. Panariti tha se pasi qeveria ia kaloi në administrim ministrisë së Bujqësisë ky institucion do të fillonte procedurat e shfrytëzimit të kësaj toke, e cila ka qenë një tokë djerrë.
"Megjithatë kjo është çështje proceduriale, unë jam i hapur. Dosjet janë aty, meqënëse i shpallët dhe si objektiv. Merrini dosjet nën sqetull dhe që nesër shkojmë në Prokurori dhe i nënshtrohemi një procesi të qartë transparence të të gjithë procedurave që ka zbatuar Ministria e Bujqësisë, duke filluar që nga zanafilla, që nga VKM-ja, që këtë tokë e kaloi nga administrimi i Ministrisë së Arsimit, tokë si pjesë e pronësisë së një shkolle, dhe ja vuri në dispozicion Ministrisë së Bujqësisë. E cila çfarë do bënte? Do fillonte procedurat, procedurat e shfrytëzimit të kësaj toke, e cila ka qenë një tokë djerrë, tokë e braktisur, tokë e cila nuk u nda me 7501-shin, dhe duhet të dini që është krijuar një ide gati utopike sikur tokat që ka në administrim shteti shqiptar, Ministria e Bujqësisë, janë tokat më produktive", tha Panariti.
Ish-ministri i LSI tha se bujqësia u kanabizua jo nga ministria e Bujqësisë. Duke e quajtur interpelancën me ministrin e Bujqësisë si të stisur, ai tha se mazhoranca kërkon të përfshijë LSI në lidhje me trafikantët e drogës.



