Kryebashkiaku i Vlorës Ermal Dredha tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se nuk mund të flasim për situatë kolapsi, nëse ndodh që të ketë vonesa në hapjen e aeroportit të ri.
Ai u shpreh se në muajin maj mund të kemi lajme, sikurse mund të jetë ndonjë fluturim i mundshëm për të testuar pistën.
Paralajmërimet për kolaps të mundshëm nëse nuk përfundojnë punimet në maj, erdhën nga operatorët turistikë. I pyetur mbi këto aludime, Dredha tha:
“Të flasësh për kolaps për një vend që e ka gjithë burimin, apo një nga shtyllat kryesore…Të arrish në kolaps i bie që këtu mos shkelë njeri! Shqipëria çdo vit shton numrat e vizitorëve. Vlora është në hartën e turizmit dhe një nga vendet kryesore që ka këtë ofertë turizmin. Nuk ma do mendja që s’do ketë asnjë problematikë edhe sikur të vonojë pak ditë, deri në momentin që do hapet zyrtarisht aeroporti. Pista është pak a shumë e mbaruar, po punohet intensivisht me terminalin, do të marrë kohën e vet. Mund të kemi lajme sa i takon muajit maj, ku mund të ketë ndonjë fluturim për të testuar pistën. Sa i takon menaxhimit të pistës dhe terminalit ka edhe ajo atë fazën e certifikimeve, do marrë kohën e vet”.



