Pjerin Ndreu u betua sot për një mandat të dytë në krye të Bashkisë Lezhë, ndërkohë që këtë të hënë u konstituua dhe Këshilli i ri Bashkiak i dalë nga zgjedhjet vendore të 14-majit. Kryetar i Këshillit u rizgjodh Ndue Luli me 39 vota pro dhe 2 abstenim. Në fjalën e tij para këshilltarëve, kryebashkiaku Ndreu tha se do të vijojë punën për transformimin e Lezhës, ku prioritet do te jenë infrastruktura, turizmi dhe bujqësia. "Kushdo që mendon të shantazhojë ose të krijojë efekte ose dobi personale dhe të mundohet të shkatërrojë punën për zhvillimin e Lezhës do ndahet me mua si kryetar bashkie, kushdo qoftë, i Partisë Socialiste, apo i cilido partie në koalicion apo jashtë tij. Nuk përjashtohet asnjë. E kam detyrim ta them, se Këshilli Bashkiak i Lezhës shpeshherë është përdorur me skema bajate presioni, marrëveshjeje të dëmshme. Duhet të flini me përgjegjësi në publik, me të vërtetën. Nuk mendoj se një këshilltar ose përfaqësues politik për hir të politikës duhet të dalë dhe të shpifë, të sajojë e fantazojë siç është ajo çështja bajate e stadiumit, që disa merrnin e thonin e ka firmosur. Unë nuk kam firmosur asgjë".



