
Ish-kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij, në foltoren e Matit këtë të martë, tha se formularët e PD për thirrjen e Kuvendit Kombëtar në datë 18 kanë dalë nga zyra e Edi Ramës. Sipas Berishës, PD-së i është huazuar dhe një sistem patronazhistësh nga PS.
"E patë një pseudoformular të marrë nga zyra e Edi Ramës, ku thuhet personi përgjegjës 'partonazhisti'. I dha edhe sistemin e patronazhistëve.
I them Edi Ramës se erdhe në pushtet duke bërë thirrje hapur llumit të bashkohet kundër Sali Berishës, unë u bëj thirrje grave, burrave, njerëzve idealistë, të bashkohemi për të shpëtuar Shqipërinë nga narkoshteti për ta bërë atë vend të shpresave tona, vend të shpresave të fëmijëve tanë.
11 dhjetori shënon fillimin e revolucionit tonë. Ne e dimë se Edi Rama është armik i votës, nuk heq dorë nga rrëmbimi dhe plaçkitja e saj, por ne zotohemi se do të votojmë të lirë, i themi Edi Ramës se do të votojmë të lirë pa ty. Bëhu gati, na ke borxh votën, po nuk e hape rrugën, do të të detyrojmë ne ta hapësh. Ne do të votojmë.”, u shpreh Berisha.



