
Presidenti Bajram Begaj ka reaguar për rrëmbimin e tre policëve në veri të Kosovës. Teksa ka dënuar këtë akt, ai i ka bërë thirrje Serbisë për lirimin e efektivëve kosovarë. Begaj i është drejtuar me një kërkesë dhe autoriteteve kosovare duke i kërkuar të mos bien pre e provokimeve dhe të japin kontributin e tyre për çtensionimin e situatës. “Rrëmbimi i tre efektivëve të Policisë së Kosovës brenda territorit kosovar nga trupat serbe është një akt i rëndë provokativ për destabilizimin e Kosovës dhe të mbarë rajonit. E dënoj me forcë këtë akt dhe i bëj thirrje autoriteteve Serbe për lirimin e efektivëve kosovarë. Gjithashtu iu bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të ndërhyjnë dhe të shkurajojnë veprime të tjera të ngjashme. Një thirrje vëllazërore e bëj sërish për autoritetet e Kosovës për të mos rënë pre e provokimeve dhe për të dhënë kontributin e tyre për çtensionimin e situatës. Koordinimi me SHBA dhe BE për rikthimin në tryezën e dialogut është tepër i rëndësishëm”, shkruan Begaj.



