Analisti Elton Metaj Shqipëria për mungesën e ambasadorit amerikan në Shqipëri prej dy vitesh, thotë se është një problem që prek disa ambasada amerikane në botë.
Nga studio e “MCN Live” ai u shpreh se duket është porosi e Uashingtonit, që misionet amerikane të mos jenë të pranishme me deklarata publike, sa i takon zhvillimeve politike.
Ndërsa për kreun e ri të SPAK, Metaj ndan mendimin se SHBA e kanë të preferuarin e tyre dhe është e pritshme që preferenca e tyre të rakordojë edhe me preferencën e shumicës së anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Mungesa e ambasadorit ka nisur para se Trump të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë. Unë e shoh problemin te qasja që kanë misionet diplomatike amerikane të mos jenë aq aktive sa i takon deklaratave politike. Më parë edhe të ngarkuar me punë të SHBA, edhe pse nuk kanë pasur statusin e ambasadorit, nuk kanë qenë shumë aktiv për të mbajtur deklarata politike.
Angazhimi i një serie ambasadorësh që nga 1991 na ka mësuar me një prani të shtuar të tyre. Por me sa duket është porosi e qartë e Uashingtonit, që misionet të mos jenë të pranishme me deklarata publike, sa i takon zhvillimeve politike. Kjo nuk do të thotë që nuk e bëjnë detyrën e tyre duke takuar, përçuar mesazhe dhe duke çuar kabllogramet e famshme.
Për zgjedhjen e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme, në rast se do ketë ndikime jashtë anëtarëve të KLP, besoj se do të ketë një ndikim të fortë ndërkombëtar për të frenuar që përzgjedhja e kreut të SPAK të mos ndikohet.
Si në çdo proces tjetër besoj se SHBA e kanë të preferuarin e tyre dhe në garën për kreun e SPAK, dhe është e pritshme që preferenca e tyre të rakordojë edhe me preferencën e shumicës së anëtarëve të KLP. Pas modelit që Dumani krijoi në krye të SPAK duket sikur vetë mekanizmi ka hyrë në një rrjedhë normale.



