
Dardan Molliqaj, politikan dhe kryetar i PSD-së në Kosovë dhe bashkëshorti i ish-ministres së Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini, është arrestuar nga Njësia e Reagimit të Shpejtë e Policisë së Kosovës, teksa ishte rrugës për një takim politik.

Në një postim në rrjete sociale, Partia Socialdemokrate (PSD) thotë se ky arrestim është totalisht jashtë çdo racionaliteti.
Përderisa nuk ka marrë as ftesë nga gjykata dhe në të njëjtën kohë çdo ditë është në rutinën e tij dhe mund të gjendet lehtësisht, kjo sjellje nuk mund të lexohet ndryshe përveç se presion politik dhe demonstrim force nga një njësi e krijuar për situata emergjente dhe të rrezikshme, jo për të ndaluar opozitën politike.
Tutje nga PSD thonë se prioriteti dhe zelli në të cilin janë vendosur anëtarët e PSD-së për “shqyrtim rastesh” lë dyshime se kjo po ndodhë qëllimshëm, meqë një numër të madh rastesh e kanë së bashku me anëtarët e VV-së, duket që mësymja është kryesisht ndaj PSD-së.
“Arrestime të tilla nuk na ndalin, vetëm e bëjnë më të qartë për të gjithë kush ka frikë nga organizimi politik. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Dardan Molliqajt”, thuhet në njoftim.
Dardan Molliqaj është arrestuar disa herë nga autoritet në Kosovë, pasi është drejtues i një prej partive kryesore opozitare atje dhe njihet për protestat dhe reagimet e forta ndaj qeverisë së kryesuar nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.



