
Seanca konstitutive e parlamentit në Mal të Zi zhvillohet ditën e sotme, e cila do të zgjedhë kryetarët dhe nënkryetarët.
Hapi i radhës pas sesionit të parë pritet të jetë formimi i qeverisë së re dhe për herë të parë në tri dekada nuk do të përfshihet Partia Demokratike e Socialistëve të Presidentit, Milo Djukanovic.
Në vend të saj, tre koalicione opozitare kanë vendosur të formojnë qeverinë e ardhshme.
Qeveria e re do të përbëhet nga 3 partitë, ‘Për ardhmërinë e Malit të Zi’, ‘Paqja është kombi ynë’ dhe ‘E zezë në të bardhë’, që së bashku do të kenë 41 vende.
Ata kanë bërë me dije nënshkrimin e një marrëveshjeje koalicioni, po ende nuk kanë rënë dakord për një kandidat për kryeministër.
Sipas marrëveshjes, Mali i Zi do të vazhdojë reformat e nevojshme për anëtarësimin në BE, të forcojë aleancat me anëtarët e NATO-s. Po ashtu, koalicioni ra dakord të mos tërheqë vendimin për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur.



