Në studion e MCN Informacion, juristi Evarist Beqiri dhe analisti Ruel Domi diskutuan mbi anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Beqiri e vuri theksin te reformat që janë vënë si kusht, ndërsa Domi tha se edhe shoqëria shqiptare vetë është e papërgatitur.
Evarist Beqiri
Është një sfidë më vete. Kërkohet progres konkret, rezultat sa i takon reformimit institucional. Kërkohen reforma, kërkohet përshtatje me këto standarde. Ne kemi qenë të izoluar për një kohë të gjatë. Kjo na ka bërë te etur për idenë e hyrjes në BE. Do kishte qenë një impuls shumë i mirë nëse do ta kapnim atë trenin e 1996. Ne jemi të vetëdijshëm çfarë na pret në BE. Nuk na presin vetëm fonde. Si do të përshtatemi ne? Ne duhet të mësojmë nga gabimet e të tjerëve. Vendet që u integruan shumë më shpejt se ne kanë pasur problematika.
Ruel Domi
Po të shohim anketimet, Shqipëria dhe Kosova renditen si vende me mbështetjen më të lartë për integrimin në BE. Ajo që ne themi ka të bëjë me përputhshmërinë e standardeve europiane dhe çfarë duhet bërë që Shqipëria të adoptojë standardet europiane.
Pyetja që duhet të shtrohet është: a është shoqëria shqiptare realisht e përgatitur? Unë mendoj se jo. Shqiptarëve u është thënë se në rast se futemi në BE, problemet tuaja do të zgjidhen. Klasës politike i duhen vënë fajet që ka. Por flitet shumë pak për reformimin e thellë të shoqërisë shqiptare. Vendet anëtare janë vende, qytetarët e të cilëve besojnë te liria, besojnë te protesta. Ti nuk ke si ndërton një shoqëri në rast se nuk reagon kur sheh një padrejtësi.



