Ambasadorja franceze Christine Vasac ka deklaruar se çështja e ndryshimeve kushtetuese është “tërësisht shqiptare” dhe se për to duhet një bashkëpunim mes pozitës dhe opozitës.
Duke folur nga Pogradeci, Vasac theksoi se Shqipëria ka një kalendar, i cili do të shihet nëse do të respektohet.
“Ka një projekt të rieditimit të të gjithë Kushtetutës shqiptare. Kryeministri është shprehur në mënyrë publike dhe në Parlament në lidhje me këtë. Ka edhe një qëndrim të Presidentit të vendit, i cili na mblodhi ne të gjithë ambasadorëve të BE-së dhe të Mbretërisë së Bashkuar dje. Ju përket shqiptarëve dhe vetëm atyre që ta trajtojnë këtë çështje. Ka një kalendar i cili është vendosur dhe nëse do të respektohet ose jo kalendari këtë do ta tregojë koha. Por do të duhet një bashkëpunim i pozitës dhe opozitës në mënyrë që të marrim një rezultat”, tha ajo.
Pyetjes nëse listat e hapura dhe aleancat paszgjedhore, janë apo jo modeli i duhur për Shqipërinë, ambasadorja u pergjigj:
“Mos prisni një përgjigje prej meje mbi themelin e organizimit, sepse kjo është një çështje shqiptare”.
Pyetur nëse pa një reformë të plotë në sistemin e drejtësisë dhe sistemin zgjedhor, cili do të jetë qëndrimi i BE për Shqipërinë, ajo tha:
“Ashtu si ju e dini në 25 mars janë hapur negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Duhet të fokusohemi tek konkluzionet dhe kjo nuk është diçka e re. Qëllimi kryesor është që të konkretizohet situata, në mënyrë që të kemi konferencën e parë ndërqeveritare. Është gabim të themi papushim që po shtohen kushtet për Shqipërinë. Unë ju sugjeroj që të lexoni konkluzionet e 25 marsit dhe konkluzionet e mëparshme. Interesi i Shqipërisë është që të mbahet sa më parë konferenca ndërqeveritare dhe për këtë është duke punuar ambasadori Zef Mazi i emëruar nga kryeministri”, tha ajo.



