Pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e katër ish-liderëve të UÇK-së, ka pasur reagime të shumta jo vetëm të politikës, por edhe të qytetarëve.
Protestat nuk kanë ndaluar, ndërkohë Partia Demokratike e Kosovës ka ndërmarrë një nismë me qëllim shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale.
Analisti Faton Mehmeti tha në studion e MCN TV, se nisma është më shumë një shprehje pakënaqësie me vendimin, sesa një sfidë që mund të çohet në fund.
Po zhvillohen protesta të përditshme. PDK, nga e cila vijnë Thaçi dhe Veseli, kanë marrë iniciativë për të shfuqizuar Specialen. Ky është më tepër njëfarë manifestimi pafajësie. Nuk ka gjasa të ndodhë sepse Lista Serbe duhet të votojë pro. Dihet se Lista Serbe është dora e zgjatur e Vuçiçit. Unë besoj se do të duhej të kontaktohej një agjenci ndërkombëtare, në mënyrë që Apeli të marrë një vendim tjetër, mbi bazën e provave dhe fakteve, të cilat mesa duket prokurori nuk i ka marrë parasysh.
Kur të shkohet në Apel, gjykatësit do të jenë më të kujdesshëm për t’i shqyrtuar faktet dhe argumentet.
Në bindjen time, mundësia më e madhe në këtë drejtim është të zbutet dënimi. Ka ndodhur edhe në raste të tjera. Edhe në këtë rast, besoj se do të ketë ulje dënimi. Por duhet të punohet shumë fort. Ajo që po bën PDK është thjesht shprehje e pakënaqësisë me vendimin. Pa votat e Listës Serbe është e pamundur të miratohet.



