Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi kërkoi mocion me debat në Kuvend në lidhje me abuzimin e fondeve të IPARD II. Bardhi bën me dije se Zyra kundër Mashtrimit në BE ka informuar autoritetet përgjegjëse për raportin përfundimtar, ku është konstatuar një abuzim me vlerë 33 milionë euro.

"Znj. Kryetare e para ka një njoftim zyrtar të Zyrës kundër Mashtrimit në BE, që deklaron se ka informuar autoritetet përgjegjëse, përfshirë autoritetet e drejtësisë, për raportin përfundimtar të zyrës së OLAF-it, sa i takon abuzimeve me fondet në sektorin e bujqësisë. Nëse ministrinë e Bujqësisë e kanë shpallur skenë krimi mund të mos ua kenë vënë në dispozicion. Por unë besoj se raportin e OLAF-it ua kanë vënë në dispozicion. Raporti është përfundimtar, dhe mocioni për debat i grupit parlamentar të PD bazohet në një njoftim zyrtar. Në këtë raport theksohet se pas hetimit të rasteve të denoncuara, është vërejtur që është abuzuar me fondin IPARD II në vlerën 33 milionë euro, për pasojë ky fond konsiderohet i papërshtatshëm, dhe i sugjerohet KE-së të pezullojë fondin e IPARD III në vlerën 112 milionë euro”.
Bardhi theksoi se nuk do pritet përfundimi i hetimeve nga SPAK për zhbllokimin e fondeve, por duhen ndërmarrë hapa konkrete nga Kuvendi për zhbllokimin e tyre.
Bledi Çuçi e konsideroi të parakohshëm një debat të tillë në Kuvend, përderisa sipas tij raporti i OLAF-it është konfidencial.



