Kryetari i PD Lulzim Basha ka vizituar të dielën fshatin Murqin në afërsi të Tiranës. Pas vizitës kreu i PD bëri një koment në Facebook ku edhe postoi foto nga takimi me banorët e fshatit.
Në komentin e tij Basha shkruan: “Ndonëse është 23 km larg nga Tirana, askush nuk i sheh dhe dëgjon problemet e banorëve të këtij fshati. Banorët thonë se fshati përmbytet 5 herë në vit. Asnjë fadromë nuk është parë në 3 vjet për të pastruar kanalet kulluese”.
Më tej Basha shkruan: “Investime në infrastrukturë, kanalet kulluese dhe mbështetje për bujqësinë ishin kërkesat e banorëve. Situata kudo po përkeqësohet me shpejtësi, ndërsa qeveria vazhdon të marrë borxh dhe të vjedhë paratë e qytetarëve. 1.1 miliardë euro ka marrë borxh dhe sot nuk kanë asnjë investim publik. 1 miliardë euro janë vjedhur vetëm gjatë vitit të kaluar e qytetarët vuajnë për bukën e gojës”- përfundon komenti i kreut të demokratëve në Facebook.



