Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka reaguar mbi shtyrjen e vendimit të qeverisë ndaj fashës 800 kilovat. Sipas Tabakut, vendimi i Ramës është thjesht tregues se argumentet e opozitës ishin të sakta.
Dorëheqja e qeverisë nga rritja e çmimit të energjisë elektrike për fashën mbi 800 kwh për një muaj nuk është një nder i madh që i bëhet. Vendosja e kësaj fashe dhe aplikimi i saj ndoshta muajin tjetër, kjo është barra më e madhe për shtresën e mesme në Shqipëri. Nuk bëri nder që e tërhoqi me një muaj, thjeshtë tregoi që argumentat tona ishin të sakta, thjeshtë tregoi që vendimi ishte arbitrar, abuziv. Është shumë mirë që qeveria i kërkon qytetarëve të kursejnë. Duhet të kursejmë sepse është periudhë krize, duhet ta menaxhojmë më mirë buxhetin familjar. Ore po kjo qeveria vetë a po kursen? A po shtrëngohet qeveria? A po ul shpenzimet e kontratave korruptive konçensionare dhe PPP? Qeveria shqiptare a po vendos prioritete për shpenzimet e luksit? A po heq qeveria shqiptare dorë nga gjitha projektet abuzive? A po vazhdon të paguajë faturat e arbitrazhit? Këto janë kursimet që duhet të bëjë buxheti i shtetit që të kalojmë krizën energjetike.
Më tej Tabaku theksoi se qeveria jonë të gjithë koston e këtyre vendimeve korruptive, arbitrare, të keq menaxhimit, të arrogancës po i'a kalon qytetarëve shqiptarë.
Po rrit çmimin e energjisë elektrike! E theksoj edhe njëherë, nuk po bën nder që nuk po e rrit me 1 tetor! Do e rrisë më 1 nëntor, po njësoj është. Çmimi i energjisë elektrike është fakt që po rritet! Unë besoj që sot ne duhet të ishim duke diskutuar për alternativa! Sot duhet të ishin duke diskutuar se çfarë duhet të bëjmë në të ardhmen. Si do ta diversifikojmë energjinë? Si do të mundemi ne që të jemi një portë hyrëse në rajon për gazin e lëngshëm? Pse qeveria shqiptare nuk ka marrë asnjë investim për të lidhur TAP-in, një aset strategjik që ne kemi fatin dhe luksin që të kaloj në Shqipëri? Me tubacione, me portin e Vlorës ose dhe me tec-in e Vlorës? Pse nuk është bërë asnjë investim për ta vendosur në punë tecin e Vlorës? Për dy kullat, por njëkohësisht për sistemin e ftohjes? Pse nuk kemi absolutisht asnjë investim, përveç nji investimi strategjik në energjinë solare, parqet fotovoltaike? Pse 35 investime strategjike, hotele, resorte dhe vetëm 1 për energjinë solare? Ka shumë pyetje, ka shumë pse, të cilat të gjitha e kanë përgjigjen tek keq menaxhimi i sektorit, tek abuzimet me sektorin. Dhe prandaj sot detyrohemi që rrisim çmimin e energjisë elektrike për familjet shqiptare.
Sipas Tabakut, sot krizën e buxhetit, krizën e menaxhimit, krizën e korrupsionit, krizën e arrogancës e bëjmë krizën e familjeve shqiptare!
Nuk duhet që të rritet çmimi i energjisë elektrike, as më 1 nëntor! Shqipëria i ka mundësit, buxheti I shtetit I ka mundësitë. Nuk duhet në mënyrë absolute barra t’i kalojë 100.000 familjeve të mesme shqiptare!



