Richard Grenell ka mohuar dje lajmin për anulimin e takimit të Trump Junior me kryeministrin Edi Rama. Duke folur mbi këtë në MCN Live, politologu Alban Daci tha që nuk i beson narracionet se Rama është “non grata” dhe s’mund të shkojë në SHBA.
Sipas Dacit narracioni i PD se “Trump është miku i saj” dhe Rama është i padëshiruar, janë mekanizma që ta dëmtojnë PD-në për të qenë nesër një partnere me SHBA-të.

“Kjo histori është vazhdimësi e një psikoze turmash që kanë humbur qëllimin final politik, e kam fjalën për klasën politike. S’ka ndonjë lloj arsye dhe s’është as momenti për dimensionet që ka Shqipëria që z.Rama duhet të bëjë patjetër një vizitë dhe të jetë pas Melonit, duhet të jetë pas Macron-it, apo pas Gjermanisë. Ka prioritete dhe sfida shumë më të mëdha Presidenca Trump.
S’është radha e Shqipërisë që Trump të thërrasë Ramën dhe nëse s’e thërritka Ramën s’paska marrëdhënie të mira me Shqipërinë. Ndoshta s’ka preference personale, por marrëdhëniet dy palëshe, marrëdhëniet diplomatike, s’ndërtohen mbi preferenca personale. Janë interesa ndër-shtetërore dhe gjeostrategjike në Ballkan. Kështu që s’e besoj narracionin që Rama na qenka ‘non grata’ dhe s’mund të shkojë në SHBA.
Narracione të tilla, të cilat s’do t’i konsideroja ‘fake news’, dhe kjo loja që Trump është miku jonë, që do na bëjë të fitojmë zgjedhjet dhe që ka dërguar njeriun e tij për të na bërë fushatë elektorale, përveç se tregon një inferioritet njerëzor dhe lidershipi, tregon edhe problemin serioz në të cilën ndodhet subjekti që duhet të ishte alternativë qeverisëse.
Sa më shumë vazhdojnë me këto lloj mekanizmash, aq më shumë do ta ndëshkojnë subjektin e tyre për të qenë nesër një partner në qeverisje me SHBA-të. Vetëm po bëjnë dëm. E vetmja gjë që duhet të kishin bërë do ishte guximi që mos kishin lider një person që s'ka ca t’i japë më Shqipërisë, dhe është i padëshiruar nga SHBA”.



