
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, do të vizitojë Kosovën nga sot deri më 29 qershor.
Në njoftimin nga Zyra e BE-së në Prishtinë është bërë e ditur se Lajçak gjatë vizitës në Kosovë do të takohet me kryeministrin Albin Kurti dhe liderët e partive kryesore opozitare.
“Gjatë vizitës së tij Lajçak do të takohet me kryeministrin Albin Kurti, si dhe me liderë të partive kryesore opozitare dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. Gjatë qëndrimit në Kosovë, ai planifikon të vizitojë edhe Prizrenin dhe veriun e Kosovës.
Por, Prishtina nuk do jetë qyteti i vetëm ku do qëndrojë i deleguari i BE-së.
Në agjendën zyrtare atij i parashihet vizitë edhe në Veri të Kosovës, në Mitrovicën e Veriut.
Atje do takohet me liderë të Listës Serbe, por ftesë për bisedë i kanë bërë edhe nga një organizatë tjetër politike serbe, e njohur si “Mbijetesa e Serbëve”, organizatë që e proklamon veten si opozitë e Listës Serbe.
Lajçak ka vizitë edhe në qytetin e Prizrenit po ashtu, tregon orari i publikuar nga zyra për media e emisarit të BE-së.
Fjalimi për media i emisarit Lajçak është planifikuar për të mërkurën, 29 qershor.
Kjo vizitë e Lajçak vie pas Samitit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor që u mbajt më 23 qershor, ku përveç retorikës së kamotshme se BE është e përkushtuar ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit, nuk doli diçka konkrete nga ky samit as sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën.



