Analisti Mentor Kikia për zgjedhjet e pjesshme të së dielës në pesë bashkitë e Vlorës, Beratit, Tepelenës, Matit dhe Cërrikut, thotë se pjesëmarrja ishte thuajse në nivelin e braktisjes.
Duke folur për “MCN Live”, ai deklaroi se qytetarët kanë humbur besimin te politika dhe nuk ishin të motivuar të mbështesnin as kandidatin e njërës palë dhe as të palës tjetër.
Kikia shtoi se pjesa e rinisë dhe pjesëmarrja e tyre në votime, tregoi një indiferencë totale.
Ka dy tregues të rëndësishëm që duhen lexuar qartësisht nga politika, për të parë atë që është qasja e re e qytetarëve në raport me politikën dhe të drejtën për vendimmarrje. Pse qytetarët nuk dolën të votojnë mjaftueshëm dhe mbi të gjitha në Vlorë, ku pjesëmarrja ishte në nivelin e një braktisje totale dhe e ndau nga legjitimiteti një përqindje fare modeste.
Qytetarët kanë humbur besimin te politika, nuk ishin të motivuar të mbështesnin as kandidatin e njërës palë dhe as të tjetrës. Është një proces regresi sa i takon besimit të qytetarëve te politika. Përtej pjesëmarrjes së ulët ajo që ishte dhe më dramatike, ishte pjesëmarrja dhe më e ulët e të rinjve.
Të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve treguan se vendimin se kush do të qeverisë e ka marrë grupmosha mbi 65 vjeç, ndërsa pjesa e rinisë që kanë të tjera vizione për familjen dhe vendin, kjo pjesë e shoqërisë ishin totalisht indiferente.
Shifrat ishin diku te 2-3%. Në Vlorë kur kishte votuar 9% e atij 12% të famshëm që morën pjesë, rinia deri në 30 vjeç kishte votuar në masën 0.6%. ajo që është tragjike është braktisja nga të rinjtë.



